Kandidatët Tanë


Në 30 vite, më shumë se 22 mijë romë dhe egjiptianë janë të papërfaqësuar!
Historia e tre dekadave demokraci në vendin tonë ka treguar se numri i deputetëve në Parlament nga kjo shoqëri është zero. Nismat ligjore për këtë komunitet, përmirësimi i jetës së këtij komuniteti kanë qenë zero. Të drejtat e romëve dhe egjiptianëve është një nga pikat e pazbatueshme deri më tani, që po na kushtëzon mes të tjerash edhe antarësimin në BE. Unë quhem Azem Haliti, 30 vjeç, do të jem kandidat për deputet në qarkun e Vlorës.
Jam rritur në një familje punëtore, të ndershme e të përjashtuar nga shoqëria. Sakrifica ime më e madhe ishte ta përballoja jetën i vetëm, pa mbështetjen e pushtetit lokal apo qendror, pa mbështetjen e një njeriu të fortë dhe me influencë. Për këtë fakt jam krenar pasi investimin te vetja ja kam borxh familjes. Pasi kreva studimet e larta në Akademinë e Arteve, u riktheva në qytetin e Vlorës për t'u punësuar. Në çdo derë institucionale që trokisja më përplasej në fytyrë për shkak të diskriminimit.
Vendosa të emigrojë për në Francë, fillimisht për të punuar e më pas për të ndjekur edhe atje disa studime në profesionin tim si mësues muzike dhe instrumentist. Ndryshe nga Shqipëria, në Francë e vlerësuan maksimalisht aftësinë time dhe u bëra pjesë e disa bandave muzikore. Fitova dije dhe eksperiencë në një vend tolerant dhe mikpritës ndaj komunitetit që i përkas. Rikthimi në Shqipëri ka vetëm një arsye; përballja me papërfaqësimin.
Sot në Bashkinë e Vlorës ka afro 1200 të punësuar, askush nuk është nga komuniteti rom dhe egjiptian. Sot në Vlorë nuk ka asnjë drejtor shkollash, qendre shëndetësore apo institucione të tjera sociale një drejtues nga ky komunitet. Në 30 vite demokraci, ka një qasje mospërfillëse ndaj nesh. Një qasje e cila ka detyruar shumë djem e vajza rome dhe egjiptiane të mos punojnë në profesionin e vetë por t'i drejtohen banakut apo tabakas së lokaleve si dhe zyrave të call center.
Komuniteti rom dhe egjiptian ka nxjerr figura të shquara që i kanë dhënë kontribut Shqipërisë si i madhi Mentor Xhemali, tenori dhe zëri melodioz i krahinës së jugut. Kampionin Hysen Cenaj, medalja e artë e peshëngritjes shqiptare në garat europiane e botërore. Pa harruar Laver Bariun, të papërsëritshmin e kombit shqiptar. Shumë të tjerë i kanë dhënë Shqipërisë, shumë të tjerë po i japin por politikanët e kanë poshtëruar këtë komunitet.
Imagjinoni vetëm një fakt, sot një familje rome apo egjiptiane me 5 antarë merr ndihmë sociale rreth 4 mijë lekë, as minimumin jetik nuk mund të përballojnë me këto para. Kjo shtresë trajtohet si dorë e tretë e shoqërisë dhe nuk mbështetet me asnjë projektligj të veçantë. Kjo është ajo që unë dua të ndryshojë duke hyrë në Parlament e duke u përballur me ata që na kanë nëpërkëmbur. Në statistika jemi rreth 22 mijë, të parregjistruar jemi mijra më shumë, mbështetje kemi gjithë Shqipërinë. Ndaj më 25 Prill kërkoj besimin tuaj me votë për të përfaqësuar të drejtat e mohuara të një komuniteti të tërë. AZEM HALITI