Kandidatët Tanë


"Kandidimi në zgjedhjet parlamentare nuk është një privilegj që i bën vetes por është një përgjegjësi ndaj qytetarëve që do të përfaqësosh"...
Për të paktën dy dekada jam një nga të zhgënjyerat dhe të papërfaqësuarat e vendit, pikërisht fal kontributi që kanë dhënë politikanët. Quhem Marjana Jaho, kam studiuar në degën e Menaxhim Ndërtimi dhe do të jem kandidatja e parë në listën e Beratit. Vendosa të jem pjesë e këtyre zgjedhjeve me kolegët e Nisma Thurje për një arsye, fëmijët e mi. Si nënë dhe si grua, nuk do të doja të përjetoja pas disa vitesh lotin në sy nga emigrimi. Nuk dua as të përjetojë mungesën e arsimimit cilësor, jetesës së sigurtë, ekonomisë së shëndetëshme si dhe papunësinë te fëmijët e mi.
Vështirësitë e jetës sime i gjeni edhe te vetja juaj. Të gjithë e kemi përjetuar pabarazinë në punë, në shoqëri, në arsim, shëndetësi dhe në vendimarrje. Prejardhja nga një familje punëtore dhe pa shumë mundësi ekonomike nga ka "diskriminuar" nga pjesë tjetër e shoqërisë, e asaj shoqërie e të fortëve dhe e asaj shoqërie ku funksionon miku e paraja.
Si gjithë Shqipëria, Berati është poshtëruar ekonomikisht në 30 vite. Të rinjtë që arsimohen në Tiranë nuk kthehen më. Ca më keq vendosin edhe të emigrojnë jashtë vendit. Çdo pasaportë që vuloset në kufi, vulos një forcë punëtore më pak, një rrogë më pak dhe një shqiptar/e më pak që nuk paguan taksa në vendin e vet. Sikur të mos mjaftojë kjo, sot Berati sheh me sytë nga Kalaja se mos ndonjë vizitor bujar do të shpenzojë edhe disa para në qytet për të ndihmuar biznesin e vogël. Unë jam rritur në Berat, jetoj këtu, dhe nuk dua ta braktisë këtë qytet. Ndryshe nga garuesit e mi në këtë qark dhe qarqe të tjera që e vizitojnë qytetin për pak ditë çdo 4 vite, kur u afrojnë zgjedhjet.
Të dashur miqtë e mi, thellësia e problematikave është e madhe. Gjithçka ka ardhur si pasojë e ndarjes së pushtetit dhe mos përfaqësimit në Parlament. Nën logon e Nismës Thurje do të jem alternativa e munguar në listën e fletëvotimit. Forca e të rinjëve në politikë ka treguar se pushteti i vjetër mund të përmbyset. Forca e re në politikë është rreziku i drejtpërdrejt i të vjetrës që me pazare kanë mbajtur njera-tjetrën në pushtet.
Nuk kam në dorë ministri, drejtori, zyrë vendore apo dikaster për të nisur premtimet ndaj jush. Në 30 vite klasa e vjetër politike premton ende "drita, ujë dhe rrugë". Unë ju premtojë projektligje.
Projektligje që do të ndryshojnë ekonominë tuaj, shëndetësinë, arsimin dhe jetesën sociale. Çdo propozim do të jetë i vlefshëm ndërsa miratimi i tyre do të kalojë nga të gjithë deputetët e Parlamentit. Në këtë pikë ju shihni se kush mendon për ju realisht dhe kush e përdorë besimin tuaj vetëm për të siguruar mandatin e ardhshëm. Duhet ta forcojmë votuesi e të dobësojmë kryetarët e partive. Duhet t'u japim forcën e duhur vendimarrëse institucioneve e të shfuqizojmë imunitetin që kanë deputetët nga pandëshkueshmëria. Ne mund t'ja dalim që forca të jetë në duart e qytetatëve dhe paradigma të ndryshojë. MARJANA JAHO